Sipas kompanisë së sigurimeve AXA, në vitin 2025 është regjistruar një rritje e ndjeshme e vjedhjeve të automjeteve, ku shumica e rasteve janë raportuar në kantonet Gjenevë dhe Vaud, përcjell albinfo.ch.
Kostoja totale e dëmeve të lidhura me këto vjedhje vlerësohet rreth 5 milionë franga zvicerane, pothuajse dyfish më shumë krahasuar me vitet e mëparshme.
Sipas të dhënave, arsyeja kryesore pse Gjeneva dhe Vaud janë më të prekura lidhet me afërsinë e tyre me kufirin francez, gjë që lehtëson kalimin e automjeteve të vjedhura jashtë vendit.
“Po vërehet një rritje e grupeve të organizuara kriminale që vjedhin automjete dhe i nxjerrin jashtë vendit,” ka deklaruar Samuel Gétaz, drejtues i sektorit të dëmeve në AXA.
Edhe Policia Federale e Zvicrës (Federal Office of Police Switzerland) thekson se Zvicra frëngjishtfolëse është më e prekur nga krimi i organizuar që vjen nga Franca.
Sipas autoriteteve, shumica e autorëve të këtyre vjedhjeve vijnë nga periferitë e qyteteve franceze pranë kufirit, përfshirë Annemasse, Lyon, Grenoble, Montbéliard dhe Saint-Étienne./Albinfo.ch