Liqeni i Ohrit, i shtrirë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, është përzgjedhur nga gazetarët e udhëtimeve të “Time Out” si një nga vendet më të bukura në Evropë, duke u vlerësuar si një destinacion natyror ende i nënvlerësuar.
Në raport, Ohri krahasohet me destinacione të njohura si Liqeni i Komos në Itali, por theksohet se ofron një përvojë më të qetë dhe më të përballueshme, pa humbur bukurinë natyrore.
I konsideruar ndër liqenet më të vjetër dhe më të thellë në Evropë, Liqeni i Ohrit karakterizohet nga ujëra të kristalta, peizazhe malore dhe një trashëgimi të pasur historike.
Në anën e Maqedonisë së Veriut, qyteti i Ohrit mbetet qendra kryesore turistike, i njohur për rrugicat me kalldrëm dhe kishat e shumta mesjetare. Ndërsa në anën shqiptare, fshatra si Lini ofrojnë një përvojë më të qetë dhe autentike, me mozaikë të lashtë dhe natyrë piktoreske buzë liqenit.
Në listën e “Time Out” përfshihen edhe destinacione të tjera të njohura evropiane si fjordet norvegjeze, Kopshtet Kew në Londër dhe Casa Batlló në Barcelonë./Albinfo.ch