Parlamenti kantonal i Vaudit ka shprehur mbështetje për një ide që synon t’u ofrojë të rinjve një biletë Interrail, e cila mundëson udhëtim me tren në të gjithë Evropën, me rastin e mbushjes së moshës 18 vjeç, përcjell albinfo.ch.
Deputetët kanë vendosur të shqyrtojnë më tej fizibilitetin e këtij projekti, i cili ka për qëllim të nxisë të rinjtë drejt udhëtimeve me tren dhe të promovojë kulturën e transportit hekurudhor.
Nisma është mbështetur nga e majta politike dhe Të Gjelbrit Liberalë, ndërsa është miratuar me një shumicë të ngushtë gjatë kësaj jave në parlament.
Disa deputetë kanë theksuar ndikimin e madh të sektorit të aviacionit në emetimet e gazrave serrë, duke nënvizuar nevojën për alternativa më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, siç është transporti hekurudhor./Albinfo.ch