Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar kritikat ndaj partive opozitare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke deklaruar se, pavarësisht përpjekjeve për të sjellë figura të reja politike, opozita sipas tij vazhdon të funksionojë me të njëjtat praktika të vjetra, përcjell albinfo.ch.
Kurti tha se problemi i opozitës nuk lidhet vetëm me emrat apo figurat që ajo i promovon, por me mënyrën e funksionimit dhe mentalitetin politik të ndërtuar ndër vite.
“Kjo opozitë mundet me sjell ndonjë fytyrë të re, por zanatin dhe karakterin e kanë të vjetër. Prandaj janë në rënie të lirë, duke rënë vazhdimisht në ciklet elektorale. Sa më shumë zgjedhje, aq më poshtë po shkojnë,” u shpreh Kurti.
Deklarata e Kurtit vjen në kohën kur Kuvendi ka kaluar në zhvillime të reja politike, ndërsa vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit./Albinfo.ch