Shoqata kombëtare e fermerëve ka vendosur të mos mbajë një qëndrim të qartë (as pro, as kundër), për shkak të mendimeve të ndryshme brenda saj. Kjo vjen pasi disa shoqata kantonale e mbështesin iniciativën, ndërsa të tjera e kundërshtojnë, shkruan watson.ch, transmeton albinfo.ch.
Në kantonet gjermanishtfolëse si Berna, Cyrihu apo St. Gallen, shumë shoqata bujqësore janë në favor të iniciativës, duke argumentuar se rritja e popullsisë po rrezikon tokat bujqësore dhe prodhimin vendor.
Në anën tjetër, në Zvicrën frankofone (pjesa perëndimore), shumica e shoqatave janë kundër, duke theksuar rëndësinë e fuqisë punëtore nga jashtë, pasi bujqësia varet nga mijëra punëtorë të huaj.
Kjo ndarje njihet si “Röstigraben” – një vijë tradicionale ndarëse mes pjesës gjermanishtfolëse dhe asaj frankofone të Zvicrës, që shpesh reflekton dallime politike dhe kulturore.
Iniciativa, e propozuar nga SVP, synon të kufizojë popullsinë e vendit dhe të vendosë masa nëse ajo i afrohet 10 milionë banorëve, një çështje që pritet të vendoset në referendum.