Qeveria federale e Zvicrës po përgatitet të forcojë kontrollin ndaj PFAS, substanca kimike që nuk shpërbëhen lehtë dhe grumbullohen në mjedis dhe trupin e njeriut. Autoritetet synojnë të detyrojnë kantonet të testojnë ushqimet dhe të ndalojnë shitjen e produkteve si mishi dhe vezët nëse tejkalojnë kufijtë e lejuar.
Kjo qasje vjen pas rasteve të raportuara, veçanërisht në kantonin St. Gallen, ku nivelet e PFAS kanë tejkaluar limitet ligjore, ndërsa zbatimi i masave ka qenë i vonuar, transmeton albinfo.ch.
Megjithatë, propozimi ka shkaktuar reagime të forta nga fermerët dhe disa qeveri kantonale. Ata paralajmërojnë se ndalimi i produkteve të kontaminuara mund të çojë në falimentim të shpejtë të fermave, pasi në raste të caktuara mund të ndalohet shitja e të gjithë bagëtisë së një ferme.
Kantonet si Cyrihu, Friburgu dhe Glarusi kanë kërkuar mbështetje financiare nga shteti për fermerët e prekur, ndërsa po diskutohet edhe një plan kombëtar për përballimin e krizës.
Në të njëjtën kohë, debati ka arritur edhe në parlament, ku është propozuar një qasje më fleksibile: lejimi i përzierjes së mishit të kontaminuar me produkte të pastra për të arritur nivelet e lejuara ligjore.
Autoritetet federale, megjithatë, theksojnë se siguria ushqimore duhet të jetë prioritet dhe nuk mund të shtyhet zbatimi i rregullave, duke argumentuar se ndotja mbetet e kufizuar dhe jo një problem i përhapur në të gjithë vendin.
PFAS përdoren gjerësisht në produkte industriale si paketimet ushqimore, tekstilet rezistente ndaj ujit dhe enët jo-ngjitëse. Ato njihen për qëndrueshmërinë e tyre dhe për lidhjen me probleme serioze shëndetësore në afatgjatë.