Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shreveport të shtetit amerikan të Luizianës, ku tetë fëmijë janë vrarë pas një sulmi me armë zjarri.
Sipas NBC News, policia e Shreveportit është njoftuar në orët e para të mëngjesit të së shtunës për një incident familjar në zonën e West 79th Street. Autoritetet kanë bërë të ditur se vendngjarja ishte e gjerë dhe përfshinte disa shtëpi në lagje.
Në total, dhjetë persona janë qëlluar, ndërsa tetë prej tyre, të moshës nga 1 deri në 14 vjeç, kanë humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Zëdhënësi i policisë, Christopher Bordelon, deklaroi se i dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes dhe gjatë arratisjes kreu edhe një grabitje makine. Ai më pas u ndoq nga policia dhe u vra gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit.
Hetimet për rastin janë ende në vazhdim.