Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim në Tiranëme deputetin shqiptar në Parlamentin e Suedisë, Arbër Gashi, në kuadër të Samitit të IV-të të Diasporës, transmeton albinfo.ch.
Lajmin e bëri të ditur vetë ministri Hoxha përmes një postimi në platformën X, ku shprehu kënaqësinë për takimin me deputetin shqiptar, duke e cilësuar atë si një histori suksesi dhe shembull krenarie për diasporën shqiptare.
“Kënaqësi të takoja sot, në Tiranë, deputetin në Parlamentin e Suedisë, Arbër Gashi, në kuadër të Samitit të IV-të të Diasporës,” shkroi Hoxha.
Ministri e vlerësoi Arbër Gashin, të cilin e përshkroi si “bir i Drenicës”, duke theksuar se rrugëtimi dhe arritjet e tij janë dëshmi se identiteti shqiptar nuk humbet, por përkundrazi forcohet dhe pasurohet edhe jashtë kufijve.
Sipas Hoxhës, shembujt e diasporës shqiptare që janë të mirëintegruar dhe aktivë në jetën politike e institucionale të vendeve ku jetojnë, janë një frymëzim i drejtpërdrejtë për shoqërinë shqiptare.
Ai theksoi se raste të tilla janë të rëndësishme për forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo në botë, për ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe për promovimin e emrit të Shqipërisë dhe shqiptarisë në arenën ndërkombëtare.
“Rrënjët tona mbeten të gjalla kudo që jetojnë shqiptarët,” përfundoi ministri në postimin e tij./Albinfo.ch.