Mandatari i ardhshëm i Hungarisë, Peter Magyar, ka deklaruar se ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, mund të mos qëndrojë më gjatë në vend dhe se ekziston mundësia e deportimit të tij.
Në një konferencë për media, Magyar u pyet për dy ish-ministra polakë të akuzuar për korrupsion, të cilët kanë gjetur strehim në Hungari. Ai theksoi se vendi i tij nuk do të shërbejë si strehë për persona të kërkuar ndërkombëtarisht.
“Hungaria nuk do të bëhet vend për të kërkuarit për krime. Kjo vlen jo vetëm për ish-ministrat polakë, por edhe për Nikolla Gruevskin. Ai është ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe person i kërkuar për krime,” tha Magyar.
Gruevski është në arrati që nga viti 2018, pasi u dënua me dy vjet burg në rastin “Tank”. Ai u largua nga Maqedonia e Veriut dhe mori azil në Hungari, duke pretenduar se ishte i përndjekur politikisht nga qeveria e atëhershme e Zoran Zaevit. Në vitin 2019, Hungaria refuzoi kërkesën për ekstradimin e tij.