Një ngjarje e rëndë është regjistruar dje në Bjeshkët e Prevallës, ku një shtetas amerikan ka humbur jetën pas një vetaksidenti me motoçikletë katër-rrotëshe (ATV), transmeton albinfo.ch.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes janë angazhuar disa njësi policore në koordinim të plotë, përfshirë komandantin e Stacionit Policor në Prizren dhe Njësinë Rajonale të Trafikut.
Sipas raportimeve, trupi i pajetë i turistit amerikan, rreth 24-vjeçar, është nxjerrë pas disa orësh nga vendi ku kishte ndodhur aksidenti.
Në operacionin e nxjerrjes së trupit kanë marrë pjesë edhe zjarrfikësit, ekipet e emergjencës mjekësore, si dhe vullnetarë motoristë me ATV, të cilët kanë ndihmuar në mënyrë aktive në terrenin e vështirë./Albinfo.ch
Përditësim i lajmit
Viktima e aksidentit në Prevallë është identifikuar si Angel Antonio Romo (24-vjeç), i cili dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motorin dhe është rrokullisur, duke pësuar lëndime fatale, shkruan albinfo.ch.
Rasti është raportuar rreth orës 17:00, ndërsa në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitet policore, ekipet emergjente, zjarrfikësit dhe njësitë hetimore. Sipas mjekëve, i riu ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet rajonale dhe krim-teknika kanë kryer ekzaminimet dhe dokumentimin e provave. Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë në vazhdim.