Në qytetin Marl të Gjermanisë refugjatët duhet të ndjehen të qetë. Qyteti ka vendosur të marrë një kujdestare të veçantë për refugjatët e këtij vendi. Fatime Sulejmani në vitet e 90-ta ishte vet e shpërngulur nga Kosova për në Gjermani. Para se gjithash, Fatimja flet shtatë gjuhë të huaja. Kryetari i qytetit, Werner Arndt shpreson që ndihma e saj do të jetë e madhe dhe bashkëpunuese.
Këshilltarja e refugjatëve kohëve të fundit kishte punuar për shërbimin social të grave katolike dhe gjithashtu për refugjatët në Recklinghausen, Dorsten, Castrop – Rauxel dhe bënte pritjen e refugjatëve në sallën e sporteve “Rundsporthalle” në Marl.
Fatime Sulejmani (50 vjeçare), e lindur në pjesën shqiptare të Maqedonisë, përveç gjuhës shqipe dhe maqedonishte, gjithashtu flet edhe serbokroatisht, gjuhën boshnjake, turke, gjermane, angleze e po ashtu ka njohuri të mira edhe në gjuhën bullgare, raporton lokalkompass.de, transmeton “albinfo.ch”.
Për vendin e ri të punës ajo ka pasur mbështetjen e madhe sidomos nga koordinatori për refugjatë, Thomas Freck. Detyrat e saj përfshijnë në veçanti kujdesin profesional të refugjatëve dhe familjeve të refugjatëve në strehimoret e qytetit si dhe për zhvendosjen e tyre në banesat private.
Si kujdestare e re e refugjatëve Fatime Sulejmani fillimisht dëshiron të “ndërtojë ura bashkëpunimi”. “E rëndësishme është që refugjatët sa më shpejt të njihem me banimin e ri dhe kushtet e jetesës dhe të marrin përgjegjësitë e tyre”, thotë Fatimja.
Në ndërtimin e besimit mes saj dhe refugjatëve ndihmë të madhe Fatime Sulejmanit nuk i ka dhënë vetëm njohja e gjuhëve të huaja, por edhe biografia e saj. Ajo në vitin 1992 së bashku me familjen e saj në kushte dramatike kishin braktisur vendin e tyre duke u shpërngulur nga Kosova për në Gjermani. Ajo kishte punuar në Kiel, Oldenburg dhe Konstanz ndërsa përfundimisht në rrethin e Recklinghausen kishte gjetur shtëpinë e saj të re.
“Refugjatët janë shumë falënderues për çdo ndihmë që e marrin këtu”, thotë Fatime Sulejmani nga përvoja e saj personale, përcjell “albinfo.ch”.
Se sa mirënjohës janë njerëzit të cilët për shkak të luftës, dhunës apo tmerreve të tjera detyrohen të lëshojnë shtëpitë e tyre, Fatimja e ka përjetuar personalisht. Kështu për shembull një çift refugjatësh kishte ftuar zonjën Fatime Sulejmani që të ishte e pranishme në lindjen e vajzës së tyre. Ata kishin kërkuar nga jo që t`ua propozojë edhe një emër. Fatime Sulejmani kishte vendosur për emrin Anela që në përkthim do të thoshte “më përqafo”.