Qeveria e Shqipërisë ka vendosur sot të ulë për 20% akcizën e karburanteve, pak orë para mbledhjes së Bordit të Transparencës, ku pritet të rritet çmimi i naftës në treg.
Ministri i Financave në Shqipëri, Petrit Malaj, njoftoi se akti normativ për uljen e akcizës do të jetë në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës.
“Siç ka premtuar Kryeministri Rama, qeveria ndërmori sot një masë konkrete për të amortizuar efektet e prodhuara nga konflikti në Iran, duke reaguar ndaj rritjes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në 48 orët e fundit,” tha ai, raporton TCH.
Ministri theksoi se ulja e akcizës do të qëndrojë në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare.
“Jemi të angazhuar plotësisht për t’u përgjigjur me përgjegjësi çdo sfide, duke mbrojtur qytetarët shqiptarë nga efektet financiare të këtij konflikti, por edhe duke mbrojtur buxhetin e shtetit dhe ekonominë e vendit tonë, sidomos në këtë moment kritik që po përballet bota sot.”, ka thënë ai, transmeton albinfo.ch.