Procedura për marrjen e shtetësisë zvicerane në kantonin e Basel-Stadt do të bëhet shumë më e lirë duke filluar nga 1 korriku i këtij viti. Autoritetet kanë vendosur që tarifa për procesin e natyralizimit të ulet ndjeshëm, nga 1,750 franga në 900 franga, përcjell albinfo.ch.
Vendimi u bë i ditur këtë javë nga Departamenti i Drejtësisë dhe Sigurisë në Basel-Stadt, i cili njoftoi se masa synon të lehtësojë qasjen e banorëve të huaj drejt marrjes së shtetësisë zvicerane.
Përveç uljes së tarifës bazë, një lehtësim i veçantë do të hyjë gjithashtu në fuqi nga e njëjta datë. Personat nën moshën 25 vjeç, si dhe ata që përfitojnë ndihmë sociale, nuk do të paguajnë më tarifat kantonale dhe komunale për procesin e natyralizimit.
Këta aplikantë do të duhet të paguajnë vetëm tarifën federale për procedurën e natyralizimit, e cila varion nga 50 deri në 150 franga.
Ky ndryshim ishte miratuar nga parlamenti i kantonit të Basel-Stadt në dhjetor të vitit 2025. Në atë kohë ishte aprovuar masa për uljen e tarifave, por data e saktë e hyrjes në fuqi të saj nuk ishte përcaktuar ende. Tani është konfirmuar se rregullat e reja do të zbatohen duke filluar nga 1 korriku./Albinfo.ch