Policia e Kosovës ka njoftuar se është realizuar ekstradimi nga Zvicra në Kosovë i një shtetasi kosovar me inicialet B.Z., i cili kërkohej me urdhër ndërkombëtar për veprën penale “mashtrim”.
Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi është kryer më 1 prill 2026 nga njësitet e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës, transmeton albinfo.ch.
I dyshuari ishte arrestuar më herët nga autoritetet zvicerane, pasi që ndaj tij ishte lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar përmes Interpolit nga institucionet e Kosovës. Ai dyshohet se i ishte shmangur drejtësisë për një periudhë të caktuar.
Autoritetet kanë bërë të ditur se ekstradimi është realizuar në përputhje me ligjet në fuqi dhe si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Zvicrës.
Policia e Kosovës theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për shkëmbim informacioni, me qëllim parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.