Gazetari veteran shumë aktiv edhe në moshë të shtyrë në diasporë, Rexhep Rifati ka marrë së fundi një mirënjohje të rëndësishme për punën etij shumëvjeçare në gazetari. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka ndarë atij një dekoratë dhe mirënjohje për merita në fushën e gazetarisë, shkruan albinfo.ch.
Me këtë rast Shoqata “Hora e Skënderbeut”, me seli në Zvicër i shpreh urimet z. Rifati për dekoratën dhe mirënjohjen e ndarë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Jemi krenarë që z. Rexhep Rifati, njëherësh nënkryetar i shoqatës sonë, vlerësohet për kontributin e tij të çmuar dhe shumëvjeçar në gazetari. Për dekada me radhë, ai ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në informimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare.
Z. Rifati njihet në mënyrë të veçantë edhe për lidhjet e tij të ngushta me arbëreshët, të cilët i ka vizituar me përkushtim në çdo vendbanim të tyre, duke forcuar urat shpirtërore, kulturore dhe kombëtare mes nesh.
Në emër të Shoqatës “Hora e Skënderbeut”, urojmë nga zemra z. Rexhep Rifati për këtë nderim të merituar. Njëkohësisht, këtë gëzim e ndajmë me të gjithë anëtarët e shoqatës sonë, me familjarët dhe me miqtë e shumtë të z. Rifati”, thuhet në fund të letrës së shoqatës së përmendur.
