Mediumi suedez Aftonbladet ka vlerësuar Kombëtaren e Kosovës si surprizën më të madhe të ndeshjeve të mbrëmjes, pas fitores historike ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026, përcjell albinfo.ch.
Sipas gazetës suedeze, Kosova, e renditur e 78-ta në ranglistën botërore të FIFA-s, arriti të eliminojë Sllovakinë me rezultat 4-3, në një ndeshje dramatike dhe plot emocione, duke siguruar kështu finalen vendimtare të “play-off”-it.
Aftonbladet thekson se kjo fitore është një tjetër dëshmi e rritjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe një rezultat që ka befasuar opinionin sportiv në Evropë.
Pas këtij triumfi, “Dardanët” do të luajnë në Prishtinë kundër Turqisë, e cila siguroi finalen pasi mposhti Rumaninë me rezultat minimal 1-0.
Finalja pritet të jetë vendimtare dhe historike, pasi fituesi i saj do të sigurojë kualifikimin për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë./Albimfo.ch