Kombëtarja e Kosovës po vazhdon të shkruajë histori në futbollin ndërkombëtar, pas fitores së madhe ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026, përcjell albinfo.ch.
“Dardanët” triumfuan në udhëtim në Bratisllavë me rezultat 4:3, duke siguruar kalimin në finalen vendimtare të play-offit dhe duke u afruar vetëm një hap larg kualifikimit historik në Kampionatin Botëror.
Ky sukses i Kosovës ka marrë vëmendje edhe në mediat ndërkombëtare. Gazeta e njohur spanjolle “Marca” i ka kushtuar një artikull të veçantë fitores së Kosovës, duke e cilësuar rrugëtimin e saj si të jashtëzakonshëm.
“Kosova, një nga shtetet më të reja në botë dhe që nuk njihet nga Spanja, e mposhti Sllovakinë dhe do të luajë finalen për një vend në Kupën e Botës kundër Turqisë. FIFA e njohu si përfaqësuese zyrtare… më pak se 10 vite më parë!”, ka shkruar “Marca”.
Tani, Kosovës i mbetet vetëm ndeshja finale, e cila do të zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku “Dardanët” do të përballen me Turqinë.
Turqia në gjysmëfinale eliminoi Rumaninë me rezultat minimal 1:0, ndërsa përballja në Prishtinë pritet të jetë vendimtare për një vend në Botërorin 2026. /Albinfo.ch