Një inspektor i Inspektoratit Policor të Kosovës ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën të hënën në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Policia njoftoi se rreth orës 21:00 mori informata për të shtëna me armë zjarri në rrugën “B”. Njësitet policore u nisën menjëherë në vendngjarje, ku u konstatua se një person mashkull ishte plagosur dhe u dërgua për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 21:00 morëm informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘B’ në Prishtinë. Njësitet tona policore shkuan menjëherë në vendngjarje, ku u raportua se një person ishte plagosur. Ai u dërgua për ndihmë mjekësore. Hetimet për zbardhjen e rastit kanë filluar, ndërkohë që personi i dyshuar është identifikuar dhe është në kërkim,” njoftoi Flora Ahemeti nga Policia e Kosovës.