Në Hôpitaux Universitaires de Genève, studiuesit kanë zhvilluar një vaksinë inovative të personalizuar kundër kancerit, e cila krijohet duke përdorur material nga vetë tumori i pacientit. Qëllimi i kësaj metode është që sistemi imunitar të mësojë të identifikojë dhe të sulmojë më saktë qelizat kancerogjene, duke u fokusuar në veçantitë unike të çdo tumori, përcjell albinfo.ch.
Kjo qasje është testuar te pacientë me forma të avancuara të kancerit, për të cilët trajtimet tradicionale nuk kanë dhënë më rezultate. Në studimin e parë klinik, më shumë se gjysma e pacientëve kanë shfaqur përmirësim, ndërsa nuk janë raportuar efekte anësore të rënda.
Rëndësia e këtij zbulimi është vlerësuar edhe në nivel ndërkombëtar. Hulumtimi është nderuar me Çmimin e Kërkimit Pfizer 2026, duke u konsideruar një hap i rëndësishëm në zhvillimin e imunoterapisë dhe trajtimeve të personalizuara për kancerin.
Ky zhvillim shihet si një hap premtues drejt një qasjeje më efektive dhe më të sigurt në luftën kundër sëmundjeve onkologjike, duke hapur perspektiva të reja për pacientët në të ardhmen./Albinfo.ch