Platforma mediale shqiptare në Austri, albinfo.at ka mësuar se, pas kryerjes së gjitha procedurave të nevojshme, autoritetet austriake ua kanë dorëzuar trupat e pajetë familjarëve të tyre në Austri.
Ambasada e Kosovës në kontakt te vazhdueshëm me familjet dhe autoritet austriake
Siç ka kuptuar albinfo.at, menjëherë pas njoftimit të marrë ditën e martë se, në tragjedinë e ndodhur në një kantier pune në Bezirk-un e 9-të (Alserground) në Vjenë, tre nga katër viktimat, janë shtetas të Kosovës, Ambasada e Kosovës në Austri, ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe ka ndjekur nga afër çdo zhvillim lidhur me rastin. Ambasada ka ofruar mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave dhe është angazhuar për kompletimin e dokumentacioneve deri në sigurimin e kompanisë për bartjen e kufomave për në Kosovë.
Këshilli i Shoqatave Shqiptare për Steiermark marrin përsipër shpenzimet e transportit të kufomave
Transportin e kufomave nga Austria për në Kosovë, e ka marrë përsipër Këshilli i Shoqatave Shqiptare për Steiermark në bashkëpunim me Unionin Humanitar Shqiptar në Graz.
„Këshilli i Shoqatave Shqiptare për Steiermark në bashkëpunim me Unionin Humanitar Shqiptar në Graz dhe në koordinim të plotë me Ambasadën e Kosovës në Austri kemi shprehur gatishmërinë tonë që të marrim përsipër mbulimin e shpenzimeve të transportit të trupave të pajetë për në Kosovë. Kjo është më e pakta që mund ta bëjmë ne si shoqata por edhe si komunitetit shqiptar në Austri, për t’u solidarizuar sadopak me familjet e viktimave në këto momente shumë të vështira për të gjithë“, ka thënë për albinfo.at, Arsim Gjergji, kryetar i KSHSHS-së.
Platforma Albinfo.at, të martën ka raportuar se katër persona, në mesin e tyre tre kosovarë (Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj), humbën jetën, ndërsa një shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka marrë lëndime të rënda shëndetësore.
Dje gazeta mësoi edhe për viktimën e katërt, që ishte Elvis Babaiq, nga Novi Pazari.
Albinfo.at ka kontaktuar edhe me familjarë të viktimave nga të cilët ka mësuar se sipas gjitha gjasave, të shtunën pritet të bëhet edhe varrimi i viktimave.
Ngjarja e 17 marsit ka tronditur komunitetin shqiptar në Austri, ndërkohë qeveria e Kosovës përpos ngushëllimeve, në mbledhjen e fundit të qeverisë, në nderim te viktimave, ka mbajtur një minutë heshtje.
