Ambasada amerikane në Kosovë ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian lidhur me zbatimin e Ligjit për të huajt, përcjell albinfo.ch.
Një zëdhënës i ambasadës ka thënë se ndryshimet që prekin komunitetin serb duhet të bëhen duke i konsultuar dhe duke marrë miratimin e tyre.
“Shtetet e Bashkuara e mirëpresin njoftimin për marrëveshjen e arritur lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt. Ne përgëzojmë angazhimin e palëve për këtë çështje, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjithë. Çdo ndryshim që prek komunitetin serb të Kosovës duhet të bëhet në konsultim të ngushtë dhe me miratimin e komunitetit serb të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Ditë më parë Qeveria e Kosovës ka negociuar një marrëveshje me Bashkimin Evropian për mënyrën e zbatimit të ligjit për të huajt dhe automjetet, nga të cilët do të prekej komuniteti serb në Kosovë.
Pas kësaj Qeveria e Kosovës ra dakord që të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe të njohë letërnjoftimet të lëshuara nga Serbia për një periudhë 12-mujore.