Të shtunën, filozofi dhe sociologu vdiq në Starnberg në moshën 96 vjeç, ka njoftuar shtëpia botuese Suhrkamp për Agjencinë Gjermane të Shtypit (DPA), duke cituar familjen e tij.
Habermas ishte një nga mendimtarët më të rëndësishëm të kohës sonë, transmeton albinfo.ch.
Habermas është prononcuar vazhdimisht për çështjet politike të kohës. Në rastin e Kosovës, ai pati mbrojtur bombardimet më 1999 duke thënë se askush nuk ka të drejtë t’i braktisë viktimat e t’i lërë në dorë të xhelatëve.
“Kur nuk ka rrugë tjetër fqinjët demokratikë duhet të ndërhyjnë për ndihmë emergjence e legjitimizuar nga e drejta ndërkombëtare”, kishte thënë Habermas për “Die Zeit”, prill 1999.
Veprat e tij kryesore u shkruan në Frankfurt mbi Main, ku karriera e tij filloi në vitet 1950 në Institutin për Kërkime Sociale nën drejtimin e Theodor W. Adornos. Në vitin 1961, ai mori habilitimin në Marburg me veprën e tij “Transformimi Strukturor i Sferës Publike”.
Pas disa vitesh në Universitetin e Heidelbergut, ai pasoi filozofin Max Horkheimer në vitin 1964 si Profesor i Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Frankfurtit. Leksioni i tij i parë u bë libri “Dituria dhe Interesat Njerëzore” (1968).
Gjatë revoltës studentore të vitit 1968 Habermas u perceptua si mbështetës, por ai e hodhi poshtë radikalizimin e lëvizjes.