Presidentja e Kosovo, Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë mësuesit për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, duke e konsideruar këtë datë si një festë të shpirtit të kombit shqiptar, i cili mbijetoi falë ruajtjes së gjuhës shqipe.
Në mesazhin e saj, presidentja Osmani thekson se shkolla shqipe ka qenë akt qëndrese, duke funksionuar në shtëpi, bodrume dhe në kushte sakrifice gjatë kohës së përndjekjeve.
“Në kohë përndjekjesh, mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan. Ata mbajtën gjallë gjuhën, librin dhe ëndrrën e një kombi që donte të jetonte i lirë. Nga banka e parë e shkollës deri te universitetet, është i njëjti mision: të rrisim breza që e duan gjuhën, atdheun dhe lirinë”, shkruan Osmani.
Ajo nënvizon gjithashtu se 7 Marsi është një ditë mirënjohjeje dhe respekti për çdo mësues, i cili përmes dijes dhe përkushtimit edukon brezat dhe forcon themelet e shtetit. Mesazhin e saj e përmbylli me fjalinë:
“Urime 7 Marsi të gjithë mësuesve!”
Në këtë mënyrë, Presidentja Osmani i rikujton qytetarët për rëndësinë e mësuesve dhe rolit të tyre në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor shqiptar.