Në një ambient të sjellë në dispozicion nga sipërmarrësit Eduart Cekrezi dhe Dashamir Cekrezi, rifilloi aktiviteti mësimor i Shkollës Shqipe “7 Marsi” në Calcinato, Brescia. Ky projekt, i mbështetur nga Shoqata Alba dhe Centro Culturale ODA, ka si qëllim ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe identitetit shqiptar mes të rinjve të komunitetit, transmeton albinfo.ch.
Ceremonia e hapjes nisi me regjistrimin e 24 nxënësve, një shifër që reflekton besimin e prindërve dhe angazhimin e stafit mësimor për të ofruar mësim profesional dhe me përkushtim. Mësueset Landa Gjoni dhe Xhuliana Bardhi u vlerësuan për punën e tyre të palodhur, ndërsa zonja Luljeta Cobanaj siguroi tekstet mësimore në kohë rekord, të sjella nga Ardit Aliaj.
Një kontribut të veçantë pati edhe aktivisti Petrit Aliaj, i cili ndoqi dhe organizoi çdo hap të projektit, duke garantuar realizimin e tij të suksesshëm. Ceremoninë nderoi me praninë e saj edhe prof. Anila Berberi, Presidente e Lidhjes së Shkollave Shqipe në Itali, e cila udhëtoi nga Parma për të përshëndetur nisjen e këtij viti akademik.
Ky projekt synon të forcojë lidhjen e brezave të rinj me kulturën dhe gjuhën shqiptare, duke ofruar një mjedis të pasur edukativ dhe kulturor në zemër të komunitetit shqiptar në Itali./Albinfo.ch