Mijëra turistë zviceranë kanë mbetur të bllokuar në Lindjen e Mesme, pasi fluturimet janë pezulluar për shkak të tensioneve dhe sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Si pasojë, shumë prej tyre nuk do të mund të kthehen në kohë në vendet e tyre të punës në Zvicër, përcjell albinfo.ch.
Sipas Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike të Zvicrës (State Secretariat for Economic Affairs – SECO), mungesa në punë si pasojë e anulimit të fluturimeve, në përgjithësi, bie mbi përgjegjësinë e punëmarrësit, sipas legjislacionit zviceran.
Kjo do të thotë se punonjësit e bllokuar jashtë vendit mund të mos përfitojnë pagë për ditët e mungesës, nëse kontrata e tyre e punës apo një marrëveshje kolektive nuk parasheh ndryshe.
Avokatja e Shoqatës së Punonjësve Zviceranë, Tanja Riepshoff, ka theksuar se ligji zviceran i punës nuk garanton automatikisht vazhdimin e pagesës së pagës në raste të tilla.
“Problemi është se legjislacioni zviceran i punës nuk garanton automatikisht pagesën e vazhdueshme të pagës, pasi kjo varet vetëm nga dispozitat kontraktuale ose nga një marrëveshje kolektive pune”, ka deklaruar ajo.
Ndërkohë, situata mbetet e paqartë për mijëra qytetarë që presin rifillimin e fluturimeve për t’u kthyer në Zvicër, ndërsa përveç pasigurisë së udhëtimit, tani përballen edhe me pasiguri financiare./Albinfo.ch