Dua Lipa ka dhuruar një performancë spektakolare në edicionin e sivjetmë të BRIT Awards, duke befasuar publikun në arenën Co-op Live në Manchester, transmeton albinfo.ch.
Këngëtarja 30-vjeçare u ngjit papritur në skenë gjatë performancës së producentit të njohur Mark Ronson, në mbrëmjen e së shtunës (28 shkurt). Mungesa e saj në tapetin e kuq e bëri paraqitjen edhe më të papritur, ndërsa fansat reaguan me ovacione të fuqishme.
Ajo interpretoi hitin e saj “Dance the Night”, duke elektrizuar sallën, ndërsa më pas në skenë iu bashkuan Lily Allen dhe RAYE për një medley homazh me disa nga këngët më të njohura të Ronsonit.
Në repertor u përfshinë edhe “Back to Black” e Amy Winehouse si dhe “Uptown Funk”, bashkëpunimi i njohur mes Bruno Mars dhe Ronson.
Gjatë ceremonisë, Mark Ronson u nderua me çmimin “Outstanding Contribution to Music”, duke e përmbyllur mbrëmjen me një moment vlerësimi për kontributin e tij në industrinë muzikore./Albinfo.ch
