ETH Zürich ka hapur një tender për furnizimin me një softuer të ri për kontrollin e plagjiaturës, pasi zgjidhja e deritanishme ka tejkaluar kufirin e lejuar të kostos. Njoftimi është publikuar në platformën federale të prokurimeve Simap, përcjell albinfo.ch.
Universiteti përballet çdo vit me disa dhjetëra raste të dyshuara për mashtrim akademik, çka e bën të domosdoshëm përdorimin e mjeteve digjitale për krahasimin e teksteve. Këto softuerë analizojnë punimet e studentëve dhe identifikojnë ngjashmëri me publikime të tjera ekzistuese.
Edhe pse teknologjia nuk zbulon çdo rast, ajo ka ndihmuar shpesh në evidentimin e skandaleve akademike. Në vitet e fundit, raste të tilla kanë tronditur edhe Gjermania, ku disa figura politike janë përballur me akuza për plagjiaturë në disertacionet e tyre doktorale.