Nisur nga standardi jetësor që ka, Zvicrës do t`i takonte të pranojë më tepër azilkërkues se që pranon aktualisht. Kështu mendojnë në seksionin zviceran të organizatës humanitare ndërkombëtare “Amnesty International”.
Ajo së fundi i është drejtuar Qeverisë Federale të Zvicrës me një peticion përmes të cilit kërkon që Zvicra të pranojë dukshëm më shumë refugjatë se sa është numri aktual i tyre.
Peticionin me moton “SOS Europa” e kanë nënshkruar afër 11 mijë persona. Atë, organizata Amnesty International në gjithë botën, e pati iniciuar në korrikun e vitit 2014, pas aksidentit të rëndë me ç`rast ne Mesdhe patën humbur jetën disa qindra refugjatë afrikanë.
Në tekstin e peticionit, nga Zvicra kërkohet po ashtu që ajo të ndërmarrë më shumë për të siguruar rrugë legale për migrantët.