Pas një periudhe pauze, Shkolla Shqipe në Naples të Floridës do të rihapë dyert për nxënësit, duke rikthyer mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare për fëmijët e komunitetit, shkruan albinfo.ch.
Rifillimi i aktivitetit vjen pas një angazhimi intensiv nga drejtuesit e shoqatës, në veçanti nga presidenti i AAOSWFL, Toni Guberaj. Mësimi do të nisë të premten, më 20 shkurt, në orën 18:00.
Organizatorët bëjnë të ditur se Distrikti i Collier County ka dhënë konfirmimin zyrtar për zhvillimin e mësimit gjatë këtij semestri, duke hapur kështu rrugën për vazhdimin e aktivitetit arsimor.
Drejtuesit e shkollës kanë falënderuar komunitetin për durimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe, kulturës dhe traditave ndër breza.
Rihapja e shkollës konsiderohet një hap i rëndësishëm për forcimin e identitetit kulturor dhe lidhjes së fëmijëve me rrënjët e tyre./Albinfo.ch
