Skip to content

Lea Ypi mbajti leksionin inaugurues në Paris

Lea Ypi mbajti leksionin inaugurues në Collège de France më 12 shkurt 2026

Profesoresha shqiptare me famë ndërkombëtare, Lea Ypi, autore e librave dhe eseve të përkthyera në më shumë se 35 gjuhë, zhvilloi më 12 shkurt 2026 leksionin inaugurues për vitin akademik të Collège de France në katedrën vjetore “Shpikja e Evropës përmes gjuhëve dhe kulturave”, transmeton albinfo.ch.

Leksioni u mbajt në Amphitheatre Marguerite de Navarre, site Marcelin Berthelot, në Paris, dhe hyrja ishte e lirë për publikun.

Si e ftuar speciale e këtij institucioni prestigjioz francez, Lea Ypi nisi një seri leksionesh që do të zgjasin deri më 6 maj 2026 mbi temën qendrore “Arsyeja kritike dhe trashëgimia e iluminizmit – si të rimendosh socializmin në shekullin e 21-të”. Ajo u fokusua në ripërpunimin e konceptit të socializmit moral dhe lidhjen e tij me trashëgiminë filozofike iluministe.

E lindur në Shqipëri, Lea Ypi është profesoreshë e Teorisë Politike në London School of Economics and Political Science dhe anëtare e Akademia Britanike dhe Akademia Evropiane. Ajo ka fituar disa çmime ndërkombëtare për punimet e saj akademike. Libri i saj “Free”, i botuar në Francë si “Enfin libre”, është një bestseller ndërkombëtar, ndërsa vepra më e fundit, “Të poshtëruar”, ofron një reflektim të thellë mbi drejtësinë dhe integritetin moral përmes historisë së familjes së saj.

Programi i leksionit inaugural dhe i kurseve të Lea Ypit është i disponueshëm për publikun në faqen zyrtare të Collège de France./Albinfo.ch