Ardon Jashari ishte një nga transferimet më të kushtueshme të Milanit në vitet e fundit, por mesfushori kosovar ende nuk ka arritur të sigurojë një vend të rregullt në formacionin titullar të skuadrës kuqezi, transmeton albinfo.ch.
Megjithatë, 23-vjeçari po përfiton nga përvoja në klubin italian, veçanërisht nga bashkëpunimi dhe stërvitjet përkrah yllit kroat, Luka Modriq. Mediumi i afërt me Milanin, “Sempre Milan”, ka vlerësuar se prania e Modriqit në skuadër e bën më të vështirë për Jasharin të sigurojë minuta të rregullta si titullar, por njëkohësisht paraqet një mundësi të madhe për zhvillimin e tij profesional.
“Me Modriqin në skuadër, është e vështirë për Jasharin të ketë shumë paraqitje si titullar. Megjithatë, ai duhet ta shfrytëzojë prezencën e tij duke mësuar sa më shumë nga një kampion si Modriqi”, shkruan mediumi italian.
Jashari iu bashkua Milanit verën e kaluar nga Club Brugge për shumën prej 36 milionë eurosh, duke u bërë një nga investimet më të mëdha të klubit në merkato. Fillimi i këtij sezoni nuk ishte i lehtë për të, pasi një lëndim e la për një periudhë të gjatë jashtë fushave.
Deri më tani, mesfushori kosovar ka regjistruar 205 minuta lojë në Serie A, ndërsa pritet që me rikthimin e plotë në formë të luftojë për më shumë hapësira në skuadrën e Milanit. /Albinfo.ch