Gjermania ka popullsinë më të moshuar të punësuar në Bashkimin Evropian. Në vitin 2024, nga rreth 40.9 milionë të punësuar, 9.8 milionë ishin midis 55 dhe 64 vjeç – rreth 24% e totalit, niveli më i lartë në BE. Për krahasim, mesatarja e BE-së për këtë grupmoshë është 20.1%.
Pas Gjermanisë, Italia regjistron një përqindje të lartë të punëtorëve të moshës 55-64 vjeç (23%), ndërsa Bullgaria ka 22.3%. Në anën tjetër, Malta ka numrin më të vogël të punëtorëve të moshuar në BE, me vetëm 10.8%, ndërsa Luksemburgu dhe Polonia kanë 12.8% dhe 15.2%.
Statisticienët shpjegojnë se kjo ndodh për shkak të plakjes së popullsisë dhe shtyrjes së daljes në pension. Në vitin 2024, mosha mesatare e daljes në pension ishte 64.7 vjeç, krahasuar me rreth 63 vjeç në vitin 2004. Rritja graduale e moshës ligjore të pensionit në 67 vjeç deri në vitin 2029 dhe heqja e disa opsioneve të pensioneve të hershme kanë kontribuar gjithashtu.
OECD paralajmëron se popullsia në moshë pune do të bjerë gjatë 40 viteve të ardhshme, duke krijuar presion mbi sistemin e pensioneve. Zgjatja e jetës së punës dhe reduktimi i pensioneve të hershme janë çelësi për të mbajtur financat e sistemit të qëndrueshme.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, njoftoi ndryshime të mëdha, duke bërë që pensionet të bazohen më shumë në sigurime private dhe investime kapitali.