Një ngjarje tronditëse ka ndodhur të premten në qytetin Leoben të Austrisë, ku dyshohet se një nënë ka vrarë djalin e saj 12-vjeçar, transmeton
Albinfo.at.
Sipas informacioneve fillestare, fëmija është goditur me thikë. Shërbimet e emergjencës kanë pranuar një telefonatë rreth orës 15:00, raporton media austriake Heute.
Në vendngjarje, në një apartament pranë spitalit LKH Leoben, ekipet e emergjencës gjetën një fëmijë me plagë thike në qafë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 12-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.
Sipas gazetës Kleine Zeitung, viktima ishte një djalë, ndërsa nëna u gjet gjithashtu e plagosur.
Hetimet janë marrë përsipër nga Zyra e Policisë Kriminale Provinciale, ndërsa një ekip hetimor është dërguar menjëherë në vendngjarje. Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi rrethanat e ngjarjes apo për ndonjë arrestim të mundshëm. /albinfo.at