Gastroenterologu kosovar Krenar Reshitaj, specialist i Gastroenterologjisë dhe Hepatologjisë, është pranuar si anëtar me të drejta të plota i American Gastroenterological Association (AGA), një nga shoqatat më prestigjioze dhe me ndikim në fushën e gastroenterologjisë në nivel ndërkombëtar, transmeton albinfo.ch.
AGA përfaqëson një organizatë me reputacion të lartë global, e njohur për kontributin e saj në hartimin e udhëzimeve klinike, zhvillimin e kërkimit shkencor, si dhe promovimin e edukimit të vazhdueshëm mjekësor në trajtimin dhe diagnostikimin e sëmundjeve të sistemit tretës.
Anëtarësimi i Dr. Reshitajt në këtë organizatë pasqyron përmbushjen e standardeve të larta profesionale dhe shkencore që kërkohen nga AGA, si dhe angazhimin e tij për ndjekjen e praktikave bashkëkohore mjekësore.
Ky sukses përbën një arritje të rëndësishme profesionale dhe njëkohësisht një kontribut domethënës në avancimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë, duke reflektuar përfshirjen e profesionistëve kosovarë në strukturat më të rëndësishme mjekësore ndërkombëtare. /Albinfo.ch
