Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe evidentimin e shkeljeve të mundshme në procesin e rinumërimit të votave në komunën e Drenasit, pas vërejtjes së mospërputhjeve në rezultatet e kandidatëve për deputet.
Bëhet e ditur se Departamenti i Krimeve të Rënda i kësaj prokurorie, duke përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme, ka konstatuar mospërputhje pas përfundimit të rinumërimit në Drenas, transmeton albinfo.ch.
Si rrjedhojë, prokurori i shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës me qëllim grumbullimin e informatave, evidentimin e shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës dhe sigurimin e provave përkatëse.
Sipas njoftimit, procesi i rinumërimit po përcillet nga afër edhe në komunat tjera që bien në kompetencën e saj. Pas përfundimit të këtij procesi, do të analizohen të gjitha rrethanat dhe do të shqyrtohet mundësia e lëshimit të autorizimeve shtesë për grumbullimin e informatave.