Shoferët në qytetin e Gjenevës kalojnë mesatarisht 141 orë në vit në kolona trafiku, sipas një studimi të ri të publikuar këtë javë nga kompania e navigimit GPS, TomTom, përcjell albinfo.ch.
Sipas raportit, Gjeneva renditet në vendin e 23-të nga gjithsej 256 qytete evropiane të përfshira në studim për nivelin e ngarkesës së trafikut.
Ky rezultat nuk është aspak surprizë për banorët lokalë, apo për këdo që ka vozitur ndonjëherë nëpër rrugët e qytetit. Rrugët e Gjenevës, qyteti i dytë më i madh i Zvicrës, njihen prej kohësh për mbingarkesë të vazhdueshme dhe kolona të shpeshta, veçanërisht gjatë orëve të pikut.
Studimi i TomTom analizon të dhëna nga përdorues të navigimit GPS dhe synon të ofrojë një pasqyrë të qartë mbi kohën e humbur në trafik në qytetet kryesore evropiane. /Albinfo.ch