Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), përcjell albinfo.ch.
Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë përmes një njoftimi zyrtar, në të cilin thuhet se, duke filluar nga sot, SHBA-ja nuk është më pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare.
“Nga sot, Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Ky veprim përmbush angazhimin e Presidentit Donald Trump, në bazë të një urdhri ekzekutiv të nënshkruar një vit më parë, pas keqmenaxhimit të pandemisë COVID-19 nga OBSH-ja dhe mungesës së vazhdueshme të reformës, llogaridhënies dhe transparencës”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Vendimi pason kritikat e vazhdueshme të administratës amerikane ndaj rolit të OBSH-së gjatë pandemisë së COVID-19, si dhe kërkesat për reforma të thella brenda organizatës.
Tërheqja e SHBA-së konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke marrë parasysh rolin kyç dhe kontributin e madh financiar që ky shtet ka pasur ndër vite në funksionimin e OBSH-së. /Albinfo.ch