Sistemi i transportit publik në kantonin e Cyrihut ka filluar të komunikojë me gjuhë të thjeshtuar, me qëllim që shërbimet e transportit të jenë më të qasshme edhe për udhëtarët me njohuri të kufizuara të gjuhës gjermane ose me vështirësi në lexim, përcjell albinfo.ch.
Për këtë arsye, Rrjeti i Transportit të Cyrihut (ZVV) ka prezantuar një seksion të ri në faqen e tij zyrtare të internetit, ku paraqiten informacionet më të rëndësishme për udhëtimin me autobus, tren, tramvaj apo anije, të shkruara në gjuhë të thjeshtuar.
Sipas ZVV-së, ky hap synon të lehtësojë përdorimin e transportit publik për një audiencë më të gjerë dhe të promovojë përfshirjen sociale.
Si hap i radhës, ZVV planifikon të publikojë edhe një broshurë të shkurtër në format të shtypur. Kjo broshurë do t’u shërbejë veçanërisht personave që nuk kanë aftësi digjitale ose nuk përdorin rregullisht internetin./Albinfo.ch