Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ka folur për qeverisjen e tij dhe sfidat e trashëguara, duke theksuar se Kosova ka dalë nga një periudhë e korrupsionit endemik dhe se qytetarët refuzojnë kategorikisht kthimin në të kaluarën, transmeton albinfo.ch.
“Ne e kemi trashëguar një situatë me korrupsion endemik, por ka një rezistencë dhe qëndrueshmëri të fortë të njerëzve që të mos kthehen kurrë më aty. Shpresa jonë janë qytetarët, të cilët e njoftojnë sistemin dhe publikun për korrupsionin që hasin”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se qeverisja e tij ka vendosur standarde të reja, duke e cilësuar kabinetin qeveritar si shembull në luftën kundër korrupsionit. “Askush, absolutisht askush brenda kabinetit të ministrave, nuk e ka as imagjinatën më të vogël të përfshirjes në çfarëdo shkalle të korrupsionit”, është shprehur Kurti.
Duke folur për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti ka sqaruar se ato nuk ishin synim i drejtpërdrejtë i Lëvizjes Vetëvendosje, por erdhën si pasojë e mungesës së bashkëpunimit me partitë opozitare.
Sipas tij, Vetëvendosje kishte tentuar pas 9 shkurtit të vitit të kaluar të zhvillonte takime me subjektet opozitare, por këto përpjekje ishin refuzuar. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti dhe Vetëvendosje siguruan mbi 50 për qind të votave, duke konfirmuar mbështetjen e fuqishme qytetare.