Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se sot është pranuar dërgesa e radhës e sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.

Sipas njoftimit, sistemi OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një armë moderne raketore anti-tank me rreze të mesme veprimi, e projektuar për neutralizimin e mjeteve të blinduara moderne, përfshirë tanket me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikatat ushtarake mbrojtëse, transmeton albinfo.ch.
Ministri Maqedonci theksoi se rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për Forcën e Sigurisë së Kosovës synon mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të ndryshëm të kërcënimit. Kjo, sipas tij, do të kontribuojë në rritjen e fleksibilitetit operacional dhe kapaciteteve mbrojtëse të ushtrisë së Kosovës.

Kontrata me kompaninë turke Roketsan është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes për modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit.