Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ekziston mundësia, jo vetëm teorike, por edhe reale, që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje në rast se nuk arrihet zgjedhja e presidentit të ri.
Katër muaj para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Kurti thekson se është ende e paqartë nëse do të mbështesë një mandat të dytë për të. Ai thekson se një tregues për situatën politike do të jetë miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat kërkohet edhe mbështetje nga deputetët e opozitës.
Në një intervistë për KosovaPress, Kurti tha se prioritet janë konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë dhe miratimi i buxhetit, para se të diskutohet rizgjedhja e presidentes. “Nëse nuk arrijmë të zgjedhim ose të rizgjedhim presidenten deri më 4 mars, ekziston mundësia reale e zgjedhjeve të reja, por kjo mundësi kërkon që buxheti të jetë i miratuar paraprakisht. Nuk është e arsyeshme të flasim për hapin e katërt pa përfunduar tre të parët”, tha Kurti.
Ai theksoi nevojën e një takimi me Osmanin për të diskutuar për një mandat të dytë, duke theksuar se sigurimi i 80 votave në Kuvend për zgjedhjen e presidentit është sfidë e madhe. “Në zgjedhjet e fundit nuk arritëm 61 vota, ndërsa 80 është një numër shumë më i lartë”, shtoi Kurti.
Duke folur për qëndrimin e partive opozitare, ai pranoi se nuk mund të parashikohet sjellja e tyre në muajt e ardhshëm, duke kujtuar se bllokadat gjatë vitit 2025 kanë qenë të papritura. “Pa mbështetjen e deputetëve të opozitës, as marrëveshjet ndërkombëtare dhe as zgjedhja e presidentit nuk mund të realizohen”, përfundoi ai.