Ambasadori i Zvicrës në Shkup, Christoph Sommer, është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve si dhe procesin e reformave në vend.
Gjatë takimit, ambasadori Sommer ka riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës, duke theksuar se ajo mbetet një nga partnerët më të mëdhenj bilateralë të bashkëpunimit për Maqedoninë e Veriut. Ai nënvizoi angazhimin e fortë zviceran për agjendën e reformave, integrimin evropian dhe dialogun e hapur të bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë.
Nga ana e tij, kryeministri Mickoski vlerësoi rolin e Zvicrës si një partner i rëndësishëm strategjik dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme në proceset reformuese dhe zhvillimore.
Të dyja palët theksuan përkushtimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut në fusha me interes të përbashkët.