Aktorja legjendare franceze, Brigitte Bardot ka ndërruar jetë sot, më 28 dhjetor 2025, në moshën 91 vjeçare.
Sipas Le Monde, Bardot ka ndërruar jetë në rezidencën e saj në Saint-Tropez, teksa ishte prej kohësh e tërhequr nga jeta publike dhe kishte probleme shëndetësore.
Brigitte Bardot u bë simbol botëror i kinematografisë franceze në vitet 1950 dhe 1960, veçanërisht pas rolit të saj në filmin “Et Dieu… créa la femme”, që e shndërroi atë në një ikonë kulturore dhe një figurë të revolucionit shoqëror të kohës. Stili, liria artistike dhe prania e saj në ekran lanë gjurmë të thella në historinë e filmit.
Në vitin 1973, Bardot u tërhoq përfundimisht nga aktrimi, në kulmin e famës, për t’iu përkushtuar mbrojtjes së të drejtave të kafshëve. Ajo themeloi Fondacionin Brigitte Bardot, i cili u bë një nga zërat më të fuqishëm ndërkombëtarë në këtë fushë.
Ndikimi i saj në art, kulturë dhe shoqëri mbetet i pakontestueshëm. Vdekja e Brigitte Bardot ka ngjallur reagime dhe homazhe të shumta në Francë dhe më gjerë, duke e rikthyer në vëmendje trashëgiminë e një prej figurave më të njohura të shekullit XX, përcjell albinfo.ch.