Dy të tretat e popullsisë së Zvicrës janë në favor të vendosjes së një takse mbi biletat e avionit, sipas një sondazhi të fundit. Të ardhurat nga kjo taksë pritet të përdoren për subvencionimin e transportit publik dhe zhvillimin e trenave të natës.
Mbështetja më e madhe vjen nga grupmosha mbi 65 vjeç, ku 80% e të anketuarve janë shprehur pro kësaj mase. Ndërkohë, rreth 60% e pjesëmarrësve përkrahin përdorimin e fondeve për uljen e çmimeve të transportit publik dhe për zgjerimin e shërbimeve hekurudhore të natës.
Sondazhi tregon gjithashtu se shumica e qytetarëve kërkojnë që taksa të jetë më e lartë për fluturimet ku ekziston një alternativë e lehtë me tren. Një pjesë e të anketuarve propozon që taksa të jetë 30 franga për fluturimet e shkurtra dhe 120 franga për ato të gjata.
Organizata mjedisore që qëndron pas studimit ka njoftuar se planifikon të nisë një iniciativë popullore në pranverën e vitit 2026 për zbatimin e kësaj takse.