Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri ka dalë me reagim publik pas sulmit të armatosur ndaj një xhamie shqiptare.
“Mbrëmë, pak para orës 00:00, xhamia jonë në Hollabrunn ka qenë objekt i një sulmi me armë zjarri. Për fat të mirë, në momentin e incidentit nuk ka pasur persona brenda objektit, pasi besimtarët ishin larguar vetëm disa minuta më herët nga xhamia. Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri e dënon ashpër këtë akt dhune të drejtuar kundër një institucioni fetar. Sulme të tilla përbëjnë një kërcënim serioz jo vetëm për sigurinë e komuniteteve fetare, por edhe për bashkëjetesën paqësore dhe rendin demokratik në shoqëri”, thuhet në reagim.
Përmes deklarates, u bëhet thirrje organeve kompetente të sigurisë që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për zbardhjen e këtij rasti dhe për identifikimin e autorëve, si dhe për garantimin e sigurisë së institucioneve fetare dhe qytetarëve, transmeton albinfo.at.
“Njëkohësisht, u bëjmë apel përfaqësuesve politikë dhe opinionit publik që të shmangin çdo formë gjuhe nxitëse apo urrejtjeje ndaj institucioneve fetare dhe anëtarëve të tyre. Fjalët kanë peshë dhe përgjegjësi – veçanërisht në kohë të ndjeshme. Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri qëndron i vendosur në përkushtimin e tij për paqe, dialog, respekt të ndërsjellë dhe bashkëjetesë në shoqërinë austriake”, përfundon deklarata.