Mësohet se më datë 18 dhe 19 dhjetor 2025, Shefi i Ushtrisë Zvicerane, Korpskomandant Thomas Suessli dhe këshilltarja qeveritare Ylfete Fanaj vizituan trupat zvicerane në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, të cilat kontribuojnë në promovimin e paqes ushtarake, shkruan albinfo.ch.

Gjatë vizitës, Suessli zhvilloi biseda me ushtarët zviceranë në terren dhe mori informacion mbi kontributin e tyre në kuadër të Forcës së Kosovës (KFOR). Ai gjithashtu pati një takim dypalësh me komandantin e KFOR, Gjeneralmajor Özkan Ulutaş nga Forcat Turke. Angazhimi i ushtrisë zvicerane në KFOR u zgjat deri në fund të vitit 2026, ndërsa Qeveria zvicerane ka propozuar vazhdimin e tij deri në fund të vitit 2029.

Pas vizitës në Kosovë, Shefi i Ushtrisë udhëtoi drejt Bosnje e Hercegovinës për të vlerësuar situatën në rajon dhe takoi trupat zvicerane që marrin pjesë në misionin EUFOR Althea të Bashkimit Evropian.

Vlen të theksohet se ai u shoqërua nga Këshilltarja qeveritare Ylfete Fanaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Qeveritare për Ushtri, Mbrojtje Civile dhe Zjarrfikës, Prof. Dr. Alexander Krethlow./Albinfo.ch