Sipas njoftimit të përfaqësuesit diplomatik Faruk Ajeti, linja ajrore Star Alliance ka korrigjuar të dhënat e saj, ndërsa platforma online për rezervime Opodo ka ndryshuar destinacionin nga “Pristina (Serbia)” në “Pristina (Kosovo)”, duke reflektuar përkatësinë e saktë shtetërore të kryeqytetit të Republikës së Kosovës.
“Me këtë korrigjim, në këto dy platforma të mëdha ndërkombëtare, kryeqyteti i Republikës së Kosovës tashmë paraqitet në mënyrë të drejtë dhe korrekte për udhëtarë dhe vizitorë nga mbarë bota,” ka shkruar Ajeti.
Ai ka ftuar gjithashtu qytetarët që, në rast se hasin institucione apo kompani të tjera ku Republika e Kosovës nuk paraqitet saktë, t’i dërgojnë dëshmitë përkatëse në adresën elektronike embassy.germany@rks-gov.net, në mënyrë që këto pasaktësi të adresohen dhe korrigjohen.
Ky hap vlerësohet si një sukses diplomatik dhe institucional, pasi siguron njohjen e saktë të Kosovës në sistemet globale të udhëtimit dhe kontribuon në forcimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.