Tre punëtorë kosovarë të kompanisë “Mabetex” kanë humbur jetën të hënën në një punishte në Astana të Kazakistanit, kurse tre të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar edhe menaxhmenti i kompanisë “Mabetex”. “Në Astana ka ndodhur një tragjedi ku për fat të keq kanë humbur jetën punëtorët: Blerim Kadriu (1981), Bekim Durmishi (1983) dhe Luan Bakia (1976) si dhe janë lënduar Hajrush Hoti (1969), Isuf Bekolli (1956) dhe Avni Maksuti (1979)”, thuhet në njoftimin e “Mabetex”.
Sipas njoftimit kompania Mabetex dhe autoritet e Kazakistanit po punojnë që kufomat e viktimave të kthehen sa më parë në Kosovë, ndërkaq tre të lënduarit janë duke u trajtuar në spitalet e Astanës.
Sipas kumtesës, deri te tragjedia ka ardhur në momentin kur punëtorët ishin duke zbërthyer skelet e një muri mbi 20 metra.
“Lidhur me shkaqet si ka ndodhur tragjedia ‘MABCO Constructions’ është duke kryer një hetim rrënjësor në bashkëpunim me organet e shtetit, për çka familjarët do të informohen detajisht. Kjo është tragjedia më e madhe që ka ndodhur në historikun e kompanisë tonë, për çka, edhe njëherë ndajmë dhimbjen me familjet dhe dashamirët e viktimave”, thuhet në kumtesën e “Mabetex”.