Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar figurën historike të Ibrahim Rugovës në 81-vjetorin e lindjes së tij, duke theksuar rolin e tij si arkitekt i Pavarësisë së Kosovës dhe simbol i vendosmërisë dhe arsyes në kohë të vështira.
Në një postim zyrtar, Osmani e ka cilësuar Rugovën si udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë:
“Me urtësinë, kulturën politike dhe vizionin largpamës, Presidenti Rugova e ngriti çështjen e Kosovës në majat e diplomacisë botërore. Ai mbetet frymëzim i përhershëm, simbol i qëndresës dhe i ëndrrës së madhe për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Trashëgimia e Presidentit është testament për paqen, për shtetin sovran dhe të integruar në familjen euro-atlantike. Lavdi jetës, veprës dhe idealit të Presidentit historik!”
Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944, në fshatin Cercë, komuna e Istogut, dhe vazhdon të mbetet një nga figurat më të shquara të historisë së Kosovës, i njohur për angazhimin e tij për paqe, dialog dhe shtetndërtim.