Mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca, ka deklaruar para deputetëve se viti 2025 do të mbahet mend si viti në të cilin shumica humbi kohë duke u përpjekur të formojë institucionet. Ai kërkoi mbështetjen për qeverinë e re që synon ta udhëheqë, duke theksuar se dërgimi i Kosovës sërish në zgjedhje do të ishte “akt arrogancë”, përcjell albinfo.ch.
“Synojmë ta kursejmë Kosovën nga zgjedhjet e reja. Do të ishte arrogancë të shkojmë prapë në votime. Edhe nëse mbahen në dhjetor, kush garanton që nuk do të kemi zgjedhje të reja në mars?”, u shpreh Konjufca, duke rikujtuar se procesi për mandatarin e dytë nisi pas dështimit të Kryesisë së Kuvendit.
Ai theksoi se gjatë mandatit të kaluar institucionet e Kosovës kanë luftuar me sukses strukturat ilegale të Serbisë në veri, të lidhura me krimin dhe kontrabandën. Në planin ndërkombëtar, sipas tij, u arrit liberalizimi i vizave dhe vendi mori tre njohje të reja diplomatike.
“Pa një qeveri të re, Kosova rrezikon thellimin e krizës politike”, u shpreh ai.
Konjufca tha se Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmarrë tre hapa për të shmangur zgjedhjet: dërgimin e dy letrave për koalicion te partia e tretë, përpjekjet në Kryesinë e Kuvendit dhe hapin e fundit – prezantimin e qeverisë para Kuvendit.
Nëse merr postin e kryeministrit, ai ka paralajmëruar se prioritetet urgjente do të jenë: buxheti i vitit 2026, marrëveshjet financiare ndërkombëtare, pagesat për RTK-në dhe buxheti i tre komunave.
Konjufca tha se po kërkon nga deputetët të bëjnë atë që, sipas tij, Vetëvendosje kishte bërë në vitin 2020.
“Ne e votuam buxhetin e Avdullah Hotit, jo sepse pajtoheshim politikisht, por sepse nuk donim të shkaktonim krizë. Po të mos e votonim, dëmi më i madh do të binte mbi ushtarët, policët, mësuesit, administratën dhe pensionistët”, tha ai.